Të Qenët Asertiv, Agresiv apo Pasiv

A e keni të vështirë për të thënë jo? Ju ndjeheni tepër të zhgënjyer dhe të mërzitur me veten dhe i qaheni një njeriu tuaj të afërm.“Sot duhej të mbaroja patjetër një punën time. E kisha lakun në fyt. Kisha filluar për bukuri kur ja, erdhi E. më mori për një punë të tij….  Hiç për një vogëlsirë….. dhe humba gjithë kohën me të…. Mbeta pa bërë punën time….”“ Po unë s’po të marr vesh, – thotë tjetri. Pse shkove, kur kishe punën tënde? – e si të mos shkoja, -thoni ju. – S’kisha si t’ia prishja…… s’mund t’i thosha jo”
Në këtë rast ju jeni viktimë e stresit të shkaktuar nga sjellja jua pasive. Ose, siç quhet ndryshe, nga sjellja juaj jo-asertive. Nëse ju e keni zakon që të silleni që mënyrë pasive (jo asertive), atëherë do të përjetoni shumë më tepër stres sesa po të silleshit në mënyrë asertive. Me konkretisht. Të silleni në mënyrë pasive, do të thotë të shkelni mbi vete për t’ju bërë qejfin të tjerëve. Të mos shprehni. Të mohoni.  Të sakrifikoni. Të mos kërkoni të drejtat tuaja. Të mos plotësoni nevojat tuaja për të plotësuar nevojat e të tjerëve. Përse? Që të kënaqni të tjerët, t’u pëlqeni të tjerëve. Por, nevojat tuaja të paplotësuara janë stresantë të fuqishëm. Mbartja e këtij stresi për një kohë të caktuar mund të çojë në shpërthime dhe dalje të situatës nga kontrolli. Gjithashtu edhe probleme në familje pasi duke lënë pas dore punët tuaja të rëndësishme dhe familjen, probleme të vështira nisin vlojnë.Nga ana tjetër, të silleni në mënyrë asertive do të thotë të t’i bëni qefin vetes, por pa shkelur mbi të tjerët. Të  shpreheni plotësisht, të mbroni të drejtat tuaja. Të plotësoni nevojat tuaja duke respektuar dhe nevojat e të tjerëve. Me nevojat tuaja të plotësuara dhe duke patur me marrëdhënie të mira me të tjerët stresi do të jetë  më i  pakët.
Por, përveç të qenit asertiv apo pasiv, ka edhe një alternativë tjetër. Të silleni në një mënyrë agresive. T’i bëni qejfin vetes duke shkelur mbi të tjerët. Përse? Për të dominuar dhe poshtëruar të tjerët. Në këtë skenar përsëri do të paguani haraçin: stresin e marrëdhënieve të këqija me të tjerët.Ja disa nga shenjat e sjelljes asertive, sjelljes pasive dhe sjelljes agresive.

Sjellja asertive
Të folurit e qetë, të qartë, të shkurtër, të rrjedhshëm. Shpreh troç dhe me takt atë që ndien dhe mendon. Zë i sigurt, i ngrohtë, miqësor, i fortë sa për t’u dëgjuar normalisht nga personi tjetër. Me besim tek vetja. Qëndron drejtë kur flet, plotësisht i çliruar. Ballë për ballë me tjetrin, në një largësi normale. Sheh drejtë në sy në mënyrë të çlirët, zgjedh vetë për gjithçka. Fjali që fillojnë me “unë”: “Unë mendoj….”, “Unë dua….”,  “Unë do të….” etj. Përdorim të fjalive të tipit bashkëpunues: “ Ne mund….”, “ Le të mendojmë….”. pyetje të drejtpërdrejta: “ Si ndjeheni….”, “Çfarë doni/ çfarë mendoni …” etj.

Sjellja pasive
Të folur të pa qartë, hezitues, ankues. Nuk shpreh troç atë që dëshiron, që mendon ose ndien. Duket sikur s’kupton as vetë ç’po thua. Heshtje të shpeshta dhe përdorim i tepërt i fjalive që kërkojnë të falur. Zë i dobët, i pa sigurt dhe monoton. Qëndron larg personit tjetër. Duar të cilat dridhen. S’di ku ti futësh. Nuk sheh drejt në sy  (i mban sytëposhtë ose anash) mosbesim tek vetja. Zgjedhin të tjerët për ty, fjalë dhe shprehje që përdor: ndoshta; mundet; s’mund; unë po mendoja nëse ju do të…; nuk  ka rëndësi; dua të them; as që mos e zër në gojë…. etj.

Sjellja agresive
Përdor të folur të tensionuar, të ashpër. Fjalë dhe etiketime të rënda. Akuza , kërcënime. Zë i lartë i fortë kërcënues. Shpreh troç  dhe bën atë që do. S’pyet për të tjerët. Trup i tendosur, i përkulur përpara. Ngjitur me personin me të cilin flet. Sy të hakërruar, të fiksuar. Gishti tregues i drejtuar tek personi tjetër. Duar të mbledhura grusht, ose vënia e duarve në mes dhe lëvizja nervoze të kokës para-mbrapa, majtas-djathtas. Kërcënues. Zgjedh për veten, vendos edhe për të tjerët pa pyetur. Fjalë  dhe shprehje që përdor: e keni gabim; duhet të sillesh më mirë; mos u bëj budalla; ju duhet…. etj.Është e vërtetë që me anë të sjelljes pasive ju mund të shmangni gjëra të pa pëlqyera si qejfmbetjet apo një përplasje me të tjerët. Fërkimet, acarimet, konfliktet. Ose dhe përgjegjësinë që mbart me vete vendosja për diçka. Por kjo është një shmangie të cilën e paguani shumë shtrenjtë. Shumë shpejt e kuptoni se jeni të manipuluar nga të tjerët. Të marrë nëpërkëmbë. Të injoruar. Dhe ndiheni ankthioz, fajtorë, të penduar me veten. Të zhgënjyer nga vetja, të zemëruar fort me veten. Dhe kjo do të thotë stres i vetëshkaktuar.

Përgatiti:Bledar Zeneli
Psikolog Këshillimi

BULEVARDI GJERGJ FISHTA,ND.14,HYRJA 9,AP.29
Tirana, Albania
mireqeniamendore@gmail.com