Çfarë janë emocionet?
Një foshnjë, sapo lind, qan. E qara, në përgjithësi, është një reagim që ka në bazën e vet emocionet. Në rastin e foshnjës së sapolindur e qara është një domosdoshmëri jetike, që nuk lidhet aq me emocionet, por me formën e parë të komunikimit dhe mbijetesës. Gjatë rritjes foshnja qan kur përjeton emocione të caktuara të parehatshme, ndërsa qesh dhe gugat kur është e gëzuar. Gjatë jetës sonë emocionet ndonjëherë kushtëzojnë vendime të rëndësishme, për rrjedhojë vetë jetën. Të dashurosh, të trishtohesh, të zemërohesh, të habitesh etj., janë emocione që i përjetojmë me intensitet të ndryshëm në përditshmërinë tonë gjatë jetës.
“A. Emocioni është një reagim i vetëdijshëm mendor (siç është zemërimi ose frika), që përjetohet në mënyrë subjektive si ndjenjë e fortë e drejtuar zakonisht drejt një objekti specifik dhe e shoqëruar zakonisht nga ndryshime fiziologjike dhe në sjellje. B. Një gjendje/një ndjenjë. C. Aspekti afektiv i vetëdijes”. (fjalori Marriam Webster)
“Emocioni, në përkufizimin e tij më të përgjithshëm, është një impuls nervor që shkakton reagime, duke nxitur sjellje automatike reaktive, që janë zhvilluar gjatë evolucionit; janë mekanizma që aktivizohen për të përmbushur një nevojë”. (www.sciencedaily.com)
Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA), emocioni përcaktohet si “një kompleks reagimesh, që përfshin elemente përjetuese të sjelljes dhe fiziologjike”. Emocionet janë mënyra si individët merren me çështje ose situata që i konsiderojnë në vetvete të rëndësishme.
Emocionet jo vetëm udhëheqin sjelljen tonë, por ndonjëherë na përcaktojnë si njerëz: nëse jemi të ndjeshëm, me vetëkontroll, introvertë apo ekstravertë, të turpshëm, karizmatikë etj. Emocionet na drejtojnë të kuptojmë atë që na pëlqen dhe nuk na pëlqen, si parapëlqime për njerëzit, punët, interesat, ushqimin, vlerat, parimet etj.
Emocionet na ndihmojnë të kuptojmë veten, nevojat tona, mënyrën si i qasemi së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Emocionet na ndihmojnë të komunikojmë me njerëzit, t’i kuptojmë emocionet e tyre, të lidhemi me ta, apo të shkëputemi prej tyre.
Emocionet nuk janë të lehta për t’u kuptuar në çastin kur ndodhin, kjo edhe sepse ato mund të përjetohen disa njëherësh, ose të përzihen me njëra-tjetrën.
Studiuesit e emocioneve i ndajnë emocionet në parësore dhe dytësore.
Emocionet parësore vijnë të parat, janë të menjëhershme dhe janë më të lidhura me nevojat bazë. Gjithashtu ato shoqërohen me reagime të forta fiziologjike. P.sh. kur jeni duke ecur në një lëndinë dhe ju del përpara një gjarpër, frikësoheni, zemra ju rreh fort, gjymtyrët reagojnë. Kur jeni të dashuruar dhe shihni fytyrën/siluetën e asaj/atij që dashuroni, ju shtohen rrahjet e zemrës, ju ndrisin sytë, ju shpëton buzëqeshja. Frika dhe dashuria janë emocione parësore, pikërisht sepse është i pashmangshëm reagimi fiziologjik. Natyrisht, mjekët do t’i jepnin edhe një shpjegim të funksionit të talamusit, amigdalës, lobit frontal dhe prefrontal dhe me të drejtë, sepse emocionet janë pjesë e rëndësishme e funksionimit të trurit, trupit dhe shpirtit.
Kur përballemi me situata që shkaktojnë emocione të forta, ndodhin reagime të ndryshme tek njerëz të ndryshëm, në varësi të përvojave jetësore, apo si janë ndihmuar ose jo të përballen me emocionet: disa njerëz luftojnë, disa largohen, disa të tjerë ngrijnë.
Emocionet dytësore aktivizohen kur emocionet parësore mbeten të paplotësuara. Në thelb, ato janë “si ndiheni për ato që ndiet në fillim”. Emocionet dytësore maskojnë emocionin e vërtetë dhe e bëjnë të vështirë të kuptohet nevoja, e cila kur nuk plotësohet, shkakton emocionin parësor. Nëse as emocioni parësor nuk kuptohet, atëherë një emocion edhe më i fortë aktivizohet dhe ky është emocion dytësor. P.sh. nëse jeni shumë të uritur, mezi prisni të hani diçkdhe ju kërkohet të bëni një punë apo detyrë, e cila e shtyn plotësimin e nevojës bazë (ushqimi), atëherë ndiheni të acaruar/zemëruar. Nëse nuk e plotësoni nevojën bazë brenda një kohe të caktuar, acarimi bëhet shumë më i fortë, frustrimi më i lartë, rritet nervozizmi. Natyrisht, disa njerëz nervozohen dhe e shfaqin hapur atë duke lënduar apo fyer të tjerët përreth tyre. Disa të tjerë i shtypin emocionet deri në pikën që shkëputen dhe nuk kanë kontakt me emocionet e tyre. Të dyja këto reagime janë të pashëndetshme.
Njohja dhe të kuptuarit e qëllimit të emocioneve
Të kuptuarit e emocioneve përfshin njohjen e tyre dhe identifikimin e funksionit ose qëllimit të secilit prej tyre. Çdo emocion ka një informacion të caktuar dhe në thelb kërkon të merren disa masa, për të parandaluar ndonjë reagim më të pakëndshëm për ju dhe ata rreth jush.
Njohja e emocioneve përfshin identifikimin e mendimeve të lidhura, ndjesitë fizike dhe mënyrat e zakonshme të përshkrimit të tyre. Pasi identifikohet emocioni, fillon të kuptuarit e nevojës së paplotësuar.
Lista e mëposhtme jep shembuj të emocioneve të zakonshme më të hasura, parësore dhe dytësore.
Emocione dhe ndjenja që aktivizohen kur nevojat tona nuk plotësohen:
Frika – i frikësuar, mosbesues, në panik, i ngurtësuar, i tmerruar, i pakujdesshëm, i shqetësuar;
Hutim – i paqartë, i çoroditur, i trazuar, i çuditshëm;
Turp – i turpëruar, i rrëmbyeshëm, i tërhequr, i strukur;
Tension – i shqetësuar, i pikëlluar, nervoz, i mbingarkuar, i stresuar;
Zemërim – i shqetësuar, i pakënaqur, i irrituar, i acaruar, nervoz, i tërbuar;
Vulnerabël – i brishtë, i pafuqishëm, i pasigurt, i rezervuar, i lëkundur, i vetmuar, i mjeruar;
Dhimbje – agoni, ankth, i pikëlluar, brengë, zemërthyer, lënduar, i penduar.
Nevojat thelbësore njerëzore
Nevojat e rëndësishme, të cilat kur nuk plotësohen, shkaktojnë emocionet parësore dhe dytësore, janë:
Të kuptojmë disa nga emocionet më të shpeshta
Frika është një emocion parësor. Frika, si të gjitha ndjenjat, është e rëndësishme, sepse na jep informacion që mund të na mbajë të sigurt dhe të shëndetshëm.
Funksioni: të na mbrojë nga rreziku i menjëhershëm.
Sinonimet: panik, shqetësim, terror.
Ngjarje tipike nxitëse: ballafaqimi me një kërcënim, performimi para të tjerëve, përballja me një situatë të re, rreziku është në kohën e tanishme.
Mendime tipike shoqëruese: “Unë nuk mund ta bëj”, “Do të dështoj”, “Jam në rrezik”.
Ndjesi të zakonshme në trup: shtrëngim në gjoks, stomak i trazuar, të përziera, gungë në fyt, marrje fryme. Disa njerëz reagojnë duke e luftuar/sfiduar stimulin që shkakton frikë, disa të tjerë ikin, të tjerë ngrijnë dhe presin të ndodhë ajo që ka për të ndodhur.
Veprimet e zakonshme që lidhen me frikën: vrapimi, ngrirja, ulërima, qarja, kërkimi i sigurisë.
Ankthi është një emocion dytësor. Ankthi i mbivendoset një emocioni që nuk është kuptuar në kohë, siç është frika. Ankthi është real kur bazohet në një situatë jetësore, si p.sh. ankthi nga një provim ose përpara një prezantimi. Ka edhe një ankth që quhet irracional, i cili ndeshet shpesh tek individët që vuajnë nga ankthi dhe fobitë. Ankthi i dytë “sinjalizon” një rrezik të hamendësuar, por fjala kyçe këtu është “hamendësim”, pra, nuk ka fakte të mjaftueshme reale që mund të ndodhë ajo që hamendësohet.
Sidoqoftë, nëse përjetoni ankth, përpiquni të gërmoni më thellë për të kuptuar frikën që është aktivizuar nga mosplotësimi i njërës prej nevojave bazë, që mund të shkaktojnë ankth.
Pyesni veten:
Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund t’ju ndihmojnë të plotësoni nevojën tuaj të vërtetë.
Funksioni: të na mbrojë apo të parandalojë një rrezik real apo të perceptuar.
Sinonimet: nervozizëm, shqetësim, stres, mbingarkesë.
Ngjarje tipike nxitëse: të menduarit ose të imagjinuarit e një situate të frikshme në të ardhmen, duke parashikuar një ngjarje të ardhshme që mund të ndodhë ose jo.
Mendime tipike shoqëruese: “Unë nuk do të jem në gjendje ta përballoj këtë”, “Ajo/ai do të më lërë, do të ikë”, “Po nëse ndodh kjo, si t’ia bëj?”.
Ndjesi të zakonshme të trupit: vështirësi për t’u qetësuar, tension dhe shtrëngim i muskujve, pagjumësi, vështirësi në përqendrim, rrahje të shpejta të zemrës, stomak i ngushtuar, nervozizëm.
Veprimet e zakonshme që lidhen me ankthin: shmangia e njerëzve ose vendeve që krijojnë frikë, duke kërkuar siguri nga të tjerët.
Zemërimi është një emocion parësor (megjithëse mund të jetë edhe dytësor). Zemërimi na ndihmon në krijimin e kufijve të shëndetshëm. Zemërimi i shëndetshëm mund të na ndihmojë t’u themi “Jo” gjërave që mund t’i shmangim, ose janë përtej energjive apo fuqive tona. Zemërimi i vërtetë i shëndetshëm nuk dëmton askënd, përfshirë personin që e ndien atë.
Zemërimi i shëndetshëm nuk fajëson, abuzon ose sulmon të tjerët.
Lëvizja e zemërimit në mënyra të shëndetshme lejon që energjia të shkarkohet deri në fund përmes trupit, duke i mundësuar personit t’i japë zë përvojës së tij.
Zemërimi, nëse nuk lejohet të shkarkohet në mënyrë të shëndetshme, ndrydhet dhe del në forma të ndryshme, gjë që lëndon dhe fyen të tjerët rreth individit, ose, në disa raste, është një zemërim që individi e drejton nga vetja, duke e lënduar veten në mënyrë të dukshme (përdorimi i tepërt i pijeve alkoolike; duhani, drogërat, mbingrënia etj.). Edhe në këtë rast është e nevojshme të identifikohet nevoja që nuk është plotësuar, pasi zemërimi po përpiqet të sinjalizojë që nevoja meriton të plotësohet.
Funksioni: të na lejojë t’i përgjigjemi një shkeljeje, të mbrohemi.
Sinonimet: i bezdisur, i irrituar, i mërzitur, i ofenduar.
Ngjarje tipike nxitëse: ndjesi për një kërcënim, mosmarrja e asaj që dëshironi, përjetimi i dhimbjeve fizike ose emocionale.
Mendime tipike shoqëruese: “Unë nuk e meritoj këtë”, “Unë nuk do ta lejoj këtë”, “Nuk është e drejtë.”
Ndjesi të zakonshme të trupit: tension në trup dhe fytyrë, fytyrë e skuqur, shtrëngim i grushteve, nofulla të shtrënguara.
Veprimet e zakonshme që lidhen me zemërimin: zëri i ngritur, lëvizje e shpejtë e duarve apo mimikës, sytë e papërqendruar, tërheqja ose heshtja.
Trishtimi është një emocion parësor.
Funksioni: të na ngadalësojë, duke na lejuar të përballojmë humbjen e një personi ose një qëllimi të dëshiruar.
Sinonimet: pakënaqësi, lëndim, mjerim, dëshpërim.
Ngjarje tipike nxitëse: përjetimi i humbjes ose refuzimit, pafuqishmëri.
Mendime tipike të lidhura: “Kjo është një humbje e madhe”. “Nuk ka asnjë shpresë”.
Ndjesi të zakonshme në trup: humbje e energjisë, dëshirë për të qarë, peshë në stomak, vështirësi në përqendrim.
Veprimet e zakonshme strukje, qan/loton/dënes, gjumë i trazuar, largohesh nga njerëzit.
Gëzimi është një emocion parësor.
Për të përjetuar plotësisht gëzimin, është e domosdoshme t’i kuptojmë plotësisht të gjitha emocionet, sepse të gjitha janë të lidhura me të. Për të ndier gëzim, është e nevojshme të ndihet edhe frika, trishtimi, zemërimi dhe ndjesitë seksuale.
Funksioni: të na nxisë të festojmë diçka të rëndësishme.
Sinonimet: lumturi, eksitim, kënaqësi, hare.
Ngjarje tipike nxitëse: kur ndiheni të suksesshëm, kur merrni dashuri ose lavdërim.
Mendime tipike shoqëruese: “Kjo është e mrekullueshme.”, “Jam me shumë fat.”
Ndjesi të zakonshme në trup: buzëqeshje, sy të shndritshëm, lëvizje të gjymtyrëve në mënyrë të hareshme.
Veprime të zakonshme që lidhen me gëzimin: vazhdimi i aktiviteteve që krijojnë gëzim, festim, sjellje spontane.
Faji është një emocion dytësor. Zakonisht shoqërohet me turpin, por ka edhe situata ku përjetohet më vete.
Funksioni: të na nxisë të korrigjojmë sjelljen që shkel normat shoqërore.
Sinonimet: siklet, pendim
Ngjarje e shpejtë: mosbindje ndaj një rregulli në komunitetin tuaj, shkelje e rregullave të shkruara apo të pashkruara.
Mendimi tipik shoqërues: “Shpresoj që askush të mos e marrë vesh.”
Ndjesi tipike të trupit: skuqje, rrahje të shpeshta të zemrës, tkurrje e muskujve, dëshirë për të ikur ose për të sulmuar.
Veprime të zakonshme në lidhje me fajin: falje, reflektim, ndryshim i sjelljes, izolim, tërheqje, zemërim ndaj vetes ose të tjerëve.
Turpi është një emocion dytësor, që aktivizohet kur një veprim apo reagim i caktuar mund të sjellë gjykim dhe/ose ndëshkim. Disa njerëz mbeten vetëm në frikën e gjykimit apo të ndëshkimit për veprimin konkret, disa të tjerë mendojnë që ndëshkimi do të jetë më i thellë, do të shoqërohet me braktisje. Në këto raste përjetimi ka shumë dhimbje.
Funksioni: të na lejojë të jetojmë sipas vlerave tona.
Sinonimet: pendim, përgjegjësi.
Ngjarje tipike nxitëse: të bësh diçka që beson se është e gabuar.
Mendime tipike shoqëruese: “Unë bëra diçka të keqe.” (Mund të besojë se “Unë jam i keq”.)
Ndjesi të zakonshme të trupit: stomak i trazuar, tension i muskujve, skuqje, shtrëngim nofullash.
Veprime të zakonshme në lidhje me turpin: fshehja, përpjekja për të riparuar dëmin.
Përgatiti:
Dr. Anila Sulstarova
Psikologe, Psikoterapiste