Njohja Dhe Identifikimi i Emocioneve Tona

Emocionet kanë shumë funksione të rëndësishme në jetën tonë, siç janë; motivimi për të ndërmarr veprim, na ndihmojnë për të shmangur rrezikun dhe për të mbijetuar, gjithashtu emocionet i lejojnë të tjerët që të na kuptojnë më mirë neve por edhe e kundërta, ato na ndihmojnë ne për të kuptuar më mirë të tjerët. Pra, siç mund të vëmë re, roli i emocioneve është bazik në funksionimin tonë, dhe mohimi apo represioni që ne iu bëjmë emocioneve, nxit tek ne zhvillimin e problematikave si në sjellje ashtu edhe në humorin tonë.

Në këtë artikull do t’i jepet më shumë prioritet metodave ndërhyrëse tek fëmijët, për zhvillimin e aftësive për të identifikuar dhe njohur emocionet e tyre. Kjo sepse në ditët e sotme vihet re se po rritet numri i individëve që e kanë shumë të vështirë të njohin emocionet që ata përjetojnë, dhe përveç kësaj marrëdhëniet e tyre dominohen vetëm nga komunikime sipërfaqësore.

Së pari, është e rëndësishme që në të krijojmë një aleancë apo marrëdhënie me fëmijën, pasi vetëm atëherë ne mund të arrijmë t’i dëgjojmë dhe kuptojmë më mirë shqetësimet dhe nevojat e tij. Komunikimi është një mjet shumë i rëndësishëm për të “depërtuar” tek individët, dhe mënyra se si ai do të aplikohet më fëmijët do të jetë disi më ndryshe nga komunikimi që përdoret më shpesh tek të rriturit, pasi përgjithësisht fëmijët, kanë vështirësi në artikulimin e ndjenjave të tyre. Po kështu, një tjerër element që mund të konsiderohet shumë ndihmues për zhvillimin emocional tek fëmijët është edhe nxitja e tyre për të reaaguar apo shprehur emocione të ndryshme, përfshirë këtu edhe emocione siç është zemërimi. Ndërkohë, ne mund të shpërblejmë rastet kur fëmija arrin që të shpreh emocione të caktuara dhe në rastin kur fëmija manifeston emocione që nuk janë në përputhje me normat shoqërore,  ne nuk duhet ta ndëshkojmë fëmijën, por t’i ofrojmë atij alternativa të përshtashme për të reaguar. Shkurtimisht unë do të paraqes disa teknika ndërhyrjeje që përdoren për të zhvilluar aftësitë e fëmijëve për të artikuluar emocionet që ata përjetojnë.

Për të ndihmuar fëmijën që të arrijë që të emërtojë emocionin që ai përjeton, ne duhet që dhe t’i japim rëndësi emocionit që ai përjeton momentalisht, duke ndërtuar një urë ndërmjet fjalës dhe emocionit, duke i bërë konceptet abstrakte më lehtë të konceptueshme nga fëmija. Disa mënyra që ndihmojnë fëmijët për t’iu dhënë emër emocioneve që ata përjetojnë janë modelimi (kryesisht me anë të kukullave apo marionetave), biblioterapia dhe teknikat e shpërblimit. Ndërkohë, këto teknika ne i shohim të integruara në disa ushtrime që aplikojmë me fëmijët, siç janë:

Një kolazh i gëzuar

Kjo metodë realizohet duke punuar me një varietet gazetash dhe revistash, në të cilën fëmijët nxiten që të kërkojnë për figura të indivdëve që duken të lumtur. Po kështu,diskutohet me ta, se pse mendojnë se individët duken të lumtur, dhe më pas nxiten që t’i presin këto figura, duke krijuar një koleksion të figurave për të realizuar një kolazh të lumtur.

Një shëtitje e lumtur

Fëmijët nxiten që të bëjnë shëtitje afër zonës ku ata jetojnë dhe inkurajohen që të vëzhgojnë individët që bëjnë shëtitje në atë zonë, dhe më pas të targetojnë vetëm personat e lumtur dhe më pas të shprehin ide se pse ata mund të jenë të gëzuar. Po kështu, fëmija pyetet se të tregojë ai vetë disa histori kur ka qenë i gëzuar.

Të këndohen disa këngë të gëzuara

Inkurajohen fëmijët që të mendojnë për këngë të caktuara ose pjesë muzike, që i bën ata të ndihen të gëzuar. Më pas me të gjitha këngët që fëmija ka përzgjedhur realizohet një koncert i vogël, ku ai mund të angazhohet vetë në procesin e të kënduarit apo kërcyerit.

Përdorimi i emoji-t

Duke qenë se fëmijët e sotëm janë shumë të angazhuar në përdorimin e teknologjisë, ne këtë gjë mund ta shfrytëzojmë si një mënyrë për ti tërhequr ata më shumë në procesin e identifikimit dhe emërtimit të emocioneve. Në të gjitha rrjetet sociale që ne përdorim, mund të vëmë re “paketën” e pafundme të emojit, që ne i përdorim si zëvëndësuese të emocioneve në bisedat me miqtë apo të afërmit tanë. Fëmijët do të nxiten që ti përshkruajnë emojit që ata përdorin, pra dhe do të inkurajohen gjithashtu ti emërtojnë ato, si dhe ti lidhin me emocione të caktuara që kanë përjetuar.

Emocionet vullkan

Zakonisht fëmijët manifestojnë zemërim apo sjellje agresive, si rezultat i problemeve me emocionet sekondare. Gjatë këtij aktiviteti fëmijët mësojnë rreth këtyre emocioneve, dhe iu ofrohen mënyra se si ata të manifestojnë reagime të përshtatshme, në mënyrë që të mos krijojnë probleme si tek vetja e tyre ashtu edhe në marrëdhënie me të tjerët. Po kështu, së bashku me këtë teknikë mund të aplikohet edhe teknika e modelimit dhe ajo e biblioterapisë, ku fëmijëve iu lexohen raste apo iu paraqiten situata me anë të kukullave, dhe paralel me situatat përshkruhen edhe disa mënyra të ndryshme reagimi, dhe inkurajohet fëmija që të zgjedh mënyrën më të përshtatshme të reagimit. Ndërkohë, një libër që mund të rekomandohet për të analizuar zemërimin tek fëmijët është: “Kur Sofia Inatoset..Inatoset shumë fare”!

Të mësohen fjalët që përshkruajnë ndjenjat

Duke qenë se fëmijët janë më shumë të interesuar për gjërat që janë atraktive dhe shumë fleksible, ne mund të përdorim një variacion metodash atraktive (përfshirë një larmi ngjyrash), për ta prezantuar fëmijën me një numër më të gjerë emocionesh. Kjo mund të realizohet në mënyrë që fëmija mos të ndihet i kornizuar vetëm në dy - tre emocione. Për të realizuar mësimin e fjalëve që përshkruajnë emocionet që fëmijët përjetojnë në përditshmëri, mund të përdoren kombinim teknikash siç mund të jetë ilustrimi me anë të filmave të animuar (Inside Out), apo edhe shumë videove edukuese muzikale.

HALTED

HALTED, përbën një akronim apo shkurtim të një strategjie që përshkruan gjendjen emocionale të fëmijëve apo të rriturve, kur ata ndihen më pak se perfektja. P.sh me anë të kësaj teknike ne mund të ndërhujmë me anë të...A po ndihesh…H- I uritur?A- E zemëruar?L- I vetmuar?T- E lodhur?E- I turpëruar?D- E zhgënjyer? Megjithatë në disa raste, aplikohet edhe HALTED-OS, që përfshin:O- Mbingarkuar?S- E frikësuar?

Libra që përshkruajnë ndjenjat

Pra siç ne kemi përmendur, një mënyrë shumë efektive ndërhyrjeje tek fëmijët është edhe ajo e përdorimit të Biblioterapisë, ku me anë të librave të ndryshëm do të paraqiten histori, që përshkrujanë mënyrat se si raste të ndryshme reagojnë kur ata përjetojnë një emocion të caktuar, dhe kjo gjë ndihmon edhe fëmijët që të përfshihen më shumë në pjesën e emocioneve dhe të ndiejnë një lloj lirie për t’iu dhënë zë edhe emocioneve të tyre.

Përgatiti:

Sulltënë Dervishaliaj

Studente Master – Psikologji Klinike

BULEVARDI GJERGJ FISHTA,ND.14,HYRJA 9,AP.29
Tirana, Albania
mireqeniamendore@gmail.com